A ka nisur një romancë te re? Reagon për herë të parë DJ PM

TvShow

Pasi përflitej prej kohësh në media për ndodhitë në jetën e tij personale, DJ PM ka zgjedhur të bëjë një deklaratë publike, duke kundërshtuar ashpër lajmet që ai i konsideron të pabazuara dhe të paverifikuara.

Që pas përfundimit të marrëdhënies me Sarah Berishën, spekulimet për një lidhje të re të DJ PM me Almedina Ismajlin u shtuan ndjeshëm. Zërat lindën fillimisht prej ndërveprimeve të tyre në rrjetet sociale, përkatësisht ndjekjes së ndërsjellë në Instagram, e më tej u intensifikuan pas shpërndarjes së disa materialeve të tjera në internet që aludonin për jetën e tij private.

Megjithatë, artisti vendosi të ndërpresë heshtjen dhe, pa përmendur emrin e saj, i hodhi poshtë si të pavërteta artikujt e fundit që janë shkruar lidhur me të.

“Është e papranueshme që të publikohen informacione të pavërteta dhe të paraqiten si fakte, pa u verifikuar më parë me mua apo me burime të besueshme. Lajmet e tilla dëmtojnë padrejtësisht imazhin dhe reputacionin tim”, shkruan ai.

Krahas kësaj, DJ PM kërkoi nga drejtuesit e mediave online që të jenë më të ndërgjegjshëm dhe korrektë në shpërndarjen e lajmeve që e përfshijnë atë.

“I bëj thirrje portaleve që të tregojnë profesionalizëm dhe përgjegjësi dhe të mos publikojnë më informacione të pavërteta vetëm për të tërhequr klikime”, vijon reagimi.

Në fund, ai bëri të ditur se mbetet i hapur për të dhënë sqarime kur informacioni është i vërtetë, por njëkohësisht paralajmëroi masa ligjore nëse raportimet e pasakta do të vijojnë të publikohen.

“Për çdo informacion që lidhet me mua, jam i gatshëm të jap sqarimin tim dhe faktet e sakta. Nëse këto publikime vazhdojnë, do të detyrohem të ndërmarr edhe hapat e nevojshëm ligjorë për mbrojtjen e reputacionit tim”, thotë DJ PM.

Lajmet e fundit