Britma në kup të qiellit/ Elektriçisti humbi jetën në krye të detyrës, përcillet për në banesën e fundit me “gj*mën e burrave”
Zona e Dukagjinit është përfshirë nga dhimbja dhe hidhërimi i thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të 34-vjeçarit Angjelin Nika, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit.
I riu u preh mes homazhesh e nderimesh tradicionale, duke u përcjellë me “gjamën e burrave”, një rit i lashtë i kësaj zone që rezervohet vetëm për njerëz me vlera të larta dhe kontribute të veçanta në komunitet.
Angjelin Nika humbi jetën në rrethana tragjike gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa po punonte mbi një shtyllë elektrike për t’i rikthyer energjinë elektrike zonës së Bardhajve, banorët e së cilës kishin mbetur pa drita.
Jeta e 34-vjeçarit u pre në mes pikërisht në momentin kur po sakrifikonte për t’u siguruar dritën dhe kushtet e normalitetit familjeve të tjera.
