Java e ndarë në dysh: Nga vapa ekstreme te rrebeshet e shiut, çfarë parashikon Lajda Porja

TvShow

Në një komunikim për publikun me gazetaren Esmeralda Mulaj, ekspertja e motit pranë Metoalb, Lajda Porja, ka shtjelluar ecurinë atmosferike të ditëve në vijim, ku spikasin temperaturat e larta në pjesën e parë të javës dhe reshjet e pritshme gjatë fundjavës.

Sipas Porjes, ndonëse në orët e para të ditës mund të ketë një ulje të lehtë, vendi mbetet nën ndikimin e kushteve verore. Për ditën e sotme, termometri në Berat pritet të shënojë 35°C, ndërsa ultësira perëndimore do të regjistrojë vlera ndërmjet 33 dhe 34°C. Piku i vapës parashikohet për të mërkurën dhe të enjten, ku në Berat e Elbasan temperaturat mund të kapin vlerën 36°C.

Në qytetet e tjera të zonës së ulët priten 34-35°C, ndërkohë që zonat bregdetare do të kenë një klimë disi më të butë, rreth 32-33°C. Ndryshimi i dinamikës atmosferike parashikohet me afrimin e fundjavës, kur temperaturat do të pësojnë një rënie me 3-4 gradë Celsius dhe do të nisin reshjet, kryesisht në zonat lindore dhe juglindore.

“E mërkura, e enjtja dhe e premtja do të kenë rrebeshe shiu në të gjithë zonën lindore dhe do jetë kryesisht juglindja, të jetë qarku i Korçës ku do të ketë rrebeshe.

Dhe Gjirokastra gjithashtu ku do të jenë më të dukshme, por presim që edhe zonat e verilindjes, Pogradeci, po ashtu dhe Peshkopia, Kukësi, Bulqiza do të kenë rrebeshe të izoluara gjatë pasditeve”, tha Porja.

Pjesa tjetër e vendit do të gëzojë një mot thuajse të qëndrueshëm, me intervale të kthjellëta paradite dhe vranësira të lehta pasdite, pa ndonjë reshje domethënëse.

Gjatë fundjavës, meteorologia parashikon rrebeshe shiu me karakter të përkohshëm në pjesën më të madhe të territorit, të shoqëruara nga erëra të fuqishme dhe det me dallgëzim. Moti i paqëndrueshëm do të nisë nga veriu dhe veriperëndimi për të vijuar më pas në jug dhe juglindje.

Porja sqaroi se ky freskim i fundjavës nuk duhet lexuar si mbërritja e vjeshtës, pasi vapa do të rikthehet sërish.

“Është një situatë kalimtare sepse edhe pse fillimi i javës mbetet në këto ujëra, ne presim sërish temperaturat të cilat do të jenë 32-33° pothuajse gjithë shtatorit. Është parashikuar që muaji shtator do të regjistrojë temperatura më të larta. Pra nuk është se futemi zyrtarisht që këtë fundjavë në vjeshtë dhe më pas na presin ditë të freskëta, por do kemi sërish temperatura të cilat të paktën deri në fund të muajit do të jenë mbi 32 gradë”, u shpreh meteorologia.

Sa i përket rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Kosova do të vazhdojnë të përjetojnë vapë deri të premten, me temperatura në Kosovë që pritet të arrijnë 33-35°C.

Duke filluar nga e enjtja e deri në fundjavë, reshjet do të përfshijnë pjesën më të madhe të këtyre territoreve, veçanërisht gjatë pasditeve.

Në zona të veçanta të Ballkanit, meteorologia paralajmëroi rrezikun e stuhive të lokalizuara, erërave të forta dhe breshrit, ndërsa pas këtij episodi parashikohet një stabilizim i motit gjatë javës që vjen.

Lajmet e fundit