Kodi i ri Rrugor: Humbje e përhershme e patentës për shoferët përsëritës…

TvShow

Duke filluar nga e premtja e 7 gushtit 2026, kanë nisur të aplikohen zyrtarisht amendamentet e Kodit Rrugor, të votuara nga Kuvendi në datën 19 qershor.

Ky ndryshim ligjor synon forcimin e masave ndëshkuese për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të frenuar shkeljet me rrezikshmëri të lartë, duke u fokusuar veçanërisht te drejtuesit që përsërisin konsumimin e alkoolit në timon. Nëse një shofer gjendet sërish duke drejtuar mjetin me nivel alkooli mbi 0.5 gram për litër gjak, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, ai do të përballet me heqjen e përjetshme të lejes së drejtimit, pa asnjë mundësi rikuperimi apo rifillimi të autoshkollës.

Kjo strategji synon eliminimin përfundimtar nga rrugët të individëve që tregohen të papërgjegjshëm.

Ndërkohë, penalitete të ashpra janë vendosur edhe për ata që qarkullojnë pa qenë të pajisur me patentë; përveç sanksionit financiar, një i rritur në këtë gjendje do të ndalohet të regjistrohet në autoshkollë për dymbëdhjetë muaj.

Të miturit që kapen duke drejtuar mjetin pa leje, përballen me një ndëshkim shtesë: ata nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë për patentë në moshën 18-vjeçare, por do të detyrohen të presin edhe dy vite të tjera.

Shoferët e rinj gjithashtu janë objekt i një regjimi të posaçëm në dy vitet e para pas pajisjes me dokumentin e drejtimit, për shkak të rrezikut të lartë statistikor për aksidente.

Për këtë kategori, kërkohet tolerancë zero ndaj alkoolit, ndërsa kufijtë e shpejtësisë janë reduktuar në 90 km/orë për autostradat dhe 80 km/orë për rrugët interurbane.

Shkelja e këtyre normave pason me gjoba nga 5 deri në 15 mijë lekë, heqje pikësh dhe pezullim të patentës për një muaj.

Nëse brenda dy viteve të para, një drejtues i ri kryen dy kundërvajtje, periudha e monitorimit shtohet me një vit shtesë, duke e bërë atë trevjeçare.

Gjithashtu, mundësia për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së dyfishit të gjobës është shfuqizuar për të gjitha lejet shqiptare, duke e bërë pezullimin një masë të detyrueshme.

Ndërkohë, gjobat për tejkalim shpejtësie, gara të paligjshme ose manovra të rrezikshme janë rritur nga 20 deri në 60 mijë lekë.

Përdorimi i telefonit është gjithashtu në fokus: dy shkelje brenda një viti sjellin pezullimin e patentës për tre muaj.

Ky rregull tashmë zbatohet edhe për përdoruesit e biçikletave, motorëve të vegjël dhe monopatinave.

Lajmet e fundit