Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare ikona e muzikës…
Në moshën 80-vjeçare është ndarë nga jeta Dolly Parton, një ndër emrat më të spikatur të zhanrit country dhe një figurë emblemë e kulturës së Shteteve të Bashkuara.
Konfirmimi për humbjen e artistes erdhi përmes familjarëve të saj, duke u përcjellë më pas nga mediat ndërkombëtare.
E lindur më 19 janar 1946 në Tennessee, Parton ishte pjesë e një familjeje të madhe me 12 fëmijë. Pavarësisht vështirësive ekonomike që e shoqëruan gjatë rritjes, ajo tregoi pasion për muzikën që në vegjëli. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ajo vendosi të transferohej në Nashville, qyteti që shërbeu si trampolinë për karrierën e saj mbresëlënëse në skenën ndërkombëtare.
Suksesi i saj mori hov gjatë dekadës së viteve ’60, duke kulmuar me krijimin e hiteve të pavdekshme si “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”. Pikërisht kjo e fundit arriti famë globale, pjesërisht edhe falë interpretimit të paharrueshëm nga Whitney Houston. Gjatë gjithë rrugëtimit të saj artistik, Parton u vlerësua me 11 çmime Grammy dhe shumë mirënjohje të tjera prestigjioze.
Emri i saj u gdhend në Country Music Hall of Fame dhe Songwriters Hall of Fame, ndërsa në 2004 u dekorua me National Medal of Arts, një nga nderimet më të larta shtetërore në SHBA për kontributin në fushën e artit. Përtej shkëlqimit në skenë, ajo gëzoi famë edhe për angazhimin humanitar.
Përmes programit Imagination Library, të cilin e themeloi vetë, ajo arriti të shpërndajë libra për fëmijë në të gjithë botën, duke e kthyer këtë nismë në një nga arritjet më domethënëse të jetës së saj. Po ashtu, lidhja me vendlindjen u materializua me krijimin e parkut argëtues Dollywood në Tennessee, ku ajo investoi suksesin e saj.
Periudha e fundit e jetës së saj u shënua nga beteja me probleme shëndetësore, të cilat e detyruan atë të shtynte e më pas të anulonte disa angazhime të rëndësishme, përfshirë shfaqjet e planifikuara në Las Vegas.
Në muajt e fundit, Parton kishte ndarë publikisht detaje lidhur me sfidat shëndetësore dhe përpjekjet e saj për rikuperim. Pas më shumë se 60 vitesh karrierë, vdekja e saj shënon fundin e një epoke.
Dolly Parton lë pas një trashëgimi artistike të madhe, të përkthyer në mbi 100 milionë albume të shitura dhe këngë që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë muzikore./Top Channel

